Në pritje të fillimit të ngjarjeve për zhvillimin e edicionit të ardhshëm të festivalit Evropian, Eurovision Song Contest 2018, i cili do të mbahet në Maj 2018 në Lisbonë, ne kemi vendosur që t'ju flasim pak rreth ngjarjeve që ndodhin javë për javë, në muajt e qetë të verës.
Kjo javë që kaloi, nuk ishte edhe aq e ftohtë kur bëhet fjalë për ngjarjet që kanë lidhje me Eurovisionin. Do t'a nisim me paradën e krenarisë botërore të komunitetit LGBT, e cila u mbajt javën e kaluar në Madrid, duke u kulminuar në fundjavën e saj, me koncerte dhe performanca të artistëve të ndryshëm ish-pjesmarrës në edicionet e kaluara të festivalit Evropian.
Francesco Gabanni, Azúcar Moreno , Slavko Kalezić, Baccara, Barei, Suzy, Conchita Wurst, Kate Ryan, Le Klein, Loreen, Mirela, Rosa, Ruth Lorenzo & Soraya ishin vetëm disa nga emrat, të cilët iu shtuan listës së gjatë të artistëve spanjollë dhe atyre ndëkombëtarë duke u bërë pjesë e këtyre festimeve, nëpërmjet performancave të tyre, në këtë eveniment i cili është një nga eventet më të mëdhenj të komunitetit LGBT.
Radio Televizioni Publik Shqiptar RTSH - njoftoi se asambleja e përgjithshme e EBU (Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve) në vitin 2018, do të zhvillohet në Shqipëri. Drejtuesit e departamentit për mardhëniet me EBU në RAdio Televizionin Publik Shqiptar, ndjehen krenarë për pranimin e aplikimit për zhvillimin e asamblesë së përgjithshme në Tiranë vitin e ardhshëm, sepse ky event ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për RTSH-në por edhe për vetë Shqipërinë, për vetë fokusin që do të marrë Tirana nga institucioni më i fuqishëm botëror i mediave publike, siç është EBU.
EBU (Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve) është organizata më e madhe e mediave publike. Në të bëjnë pjesë 73 anëtarë nga 56 vende të botës. Audienca potenciale e anëtarëve të EBU – së së bashku është më shumë se një miliardë njerëz në të gjithë botën.
Javën e kaluar u krye edhe mbledhja e rradhës së grupit të referencës për festivalin Evropian në EBU, duke më pas sjellë edhe një reflektim mbi zhvillimin e edicionit të vitit të kaluar si edhe mbi përgatitjet për edicionin e vitit të ardhshëm të festivalit Evropian, i cili do të zhvillohet në muajin Maj të vitit të ardhshëm në Portugali.
Në këtë deklaratë, u shpall se grupi i referencës për Eurovisionin, vendosi që Radio Televizioni Publik i Ukrainës, UA:PBC, të dënohet me një gjobë prej 200.000 Euro, për shkak të pengimit që këta të fundit i bënë këngëtares Ruse në pjesmarrjen në festivalin Evropian "Eurovision Song Contest 2017". Drejtori i këtij radio televizioni, Z. Zurab Alasania, tha se UA:PBC do t'a apelojë këtë vendim. Pritej që grupi i referencës për festivalin Evropian në EBU, të sanksiononte jo vetëm Ukrainën por edhe Rusinë, por mesa duket ata ia kanë lënë fajet vetëm organizatorëve të edicionit të fundit.
Pas një periudhe qetësie në rrjetet sociale për karrierën, këngëtarja Elhaida Dani është kthyer me një fotografi duke treguar për rolin e saj në musical-in Notre-Dame de Paris, sipas romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur francez Viktor Hygo i cili në shqip është i përkthyer me titullin "Katedralja e Parisit".
Në këtë shfaqje, Elhaida ka rolin e Fleur-De-Lys, e cila ndonëse nuk është një nga rolet kryesore të kësaj historie, portretizon pafajsinë dhe bukurinë e një vajze mjaft të re, e cila nuk dëshiron asgjë më tëpër në jetë sesa të martohet me princin e saj të kaltër dhe përgjërohet me këngën "La Monture" (Korniza).
Kjo nuk është një nga rolet e vetme të Elhaidës në këtë shfaqje, pasi atë e kemi parë edhe më parë në rolin kryesor të kësaj shfaqjeje, në rolin e Esmeraldës, gjatë sezonit të fundit dimëror, i cili pati premierë 23 Nëntorin e vitit të kaluar në Pallatin e Kongreseve të Parisit.
Nëse do të ndodheni në Paris, gjatë muajit Nëntor deri në mesin e muajit Dhjetor, ju do të keni mundësinë që t'a ndiqni këtë shfaqje, ndërsa për datat, oraret dhe biletat mund të shikoni këtu.
Eneda Tarifa, vazhdon të shëtisë Shqipërinë nga cepi më cep. Ditët e kaluara e kemi parë në majat e malit Llogara, në plazhet e Gjirit të Lalëzit, në sheshet e Sarandës, Ersekës, Durrësit dhe Shkodrës.
Në fotografinë e fundit të publikuar së fundmi në profilin e saj në instagram, e kemi parë Enedën edhe si një rockere të vërtetë, të vedhur me një jelek të klubit të motoçikletave "Shqiponjat e Rrugëve", duke treguar edhe skenën e instaluar në pedonalen e Shkodrës, pak përpara koncertit të saj në eventin "Biker Fest 2017"
Lindita, e cila tha të shtunën nëpërmjet profilit të saj në Facebook se do të sjellë një diçka të re në të njëjtën mbrëmje me fjalët;" A jeni gati? Do t'ju shfaq diçka shumë speciale sonte...shkoni në twitterin tim :linditaworld dhe shikoni cicërimën time",
Kaq iu desh fansave të saj, për t'i bërë ata të hamendësojnë se për çfarë bëhet fjalë dhe se çfarë surprize ka këngëtarja për ne.
Kanë kaluar disa ditë, por ende surpriza e Linditës nuk është shfaqur dhe ajo vazhdon të mbajë njerzit "në ajër" nëpërmjet mediave sociale.
Jo më larg se dje, ajo publikoi një tabllo me numrin 7, duke lënë ndoshta që të kuptojmë se kanë mbetur 7 ditë nga zbulimi i surprizës. Kjo mbetet për t'u zbuluar në ditët e ardhshme.