Mbretëria e Bashkuar, ose Anglia siç i themi rëndom, ka marrë pjesë 59 herë në Eurovision, duke filluar prej vitit 1957.
Për arsye se Radio Televizioni Publik Britanik BBC, kishte dërguar përfaqësimin me vonesë,ata nuk arritën të merrnin pjesë që herën e parë. Ata munguan edhe në vitin 1958, por pastaj duke vazhduar në këtë konkurrencë pa ndërprerje që prej vitit 1959. Ata kanë fituar 5 herë në Eurovizion, në vitet 1967,1969,1976,1981 dhe së fundmi në vitin 1997 fitore e cila erdhi me grupin Katrina and the waves dhe këngën"Love shine a light" (Dashuria shkëlqen një dritë).
Në këto 12 vitet e fundit, ata nuk kanë patur rezultate të mira duke u renditur në fund të tabelës 3 herë, ndonëse kanë dërguar këngëtarë të njohur, si për shëmbull Bonnie Tyler në vitin 2013 ose grupin Blue në vitin 2011.
Në vitet e fundit ata kanë pasur rezultate të dobta duke u rradhitur të fundit në vitet 2008 dhe 2010, madje në vitin 2003 ata zunë vendin e fundit me 0 pikë.
Pas disa viteve përzgjejesh në mënyrë të brendshme tnga vetë BBC, vitin e kaluar, ata organizuan një festival përzgjedhës me votim publik me emrin "Eurovision 2016: You decide" (Eurovizion 2016: Vendos ti), por përsëri, kënga e përzgjedhur nga ky festival me titull “You’re not alone” (Ti s’je vetëm) të kënduar nga dyshja Joe & Jake, nuk arriti ndonjë rezultat të mirë, duke përfunduar thuajse në fund të tabelës.
Edhe këtë vit, BBC, ka vendosur që përfaqësimin e tyre ta zgjedhë me të njejtin format konkurrimi.
Në edicionin e "Eurovision 2017: You decide", morën pjesë 6 këngë dhe në fund, publiku britanik vendosi që përfaqësimin e tyre në Kiev t’ja lejnë në dorë këngëtares 26 vjeçare, Lucie Jones, me këngën "Never Give Up on You" (Asnjëherë nuk do heq dorë nga ty), këngë e cila është kompozuar nga ish-fituesja e Eurovisionit 2013 për Danimarkën, Emmelie de Forest, në bashkpunim me Lawrie Martin & The Treatment.
Që Lucie ka humor dhe është mjaft lozonjare, e kuptuam gjatë takimit tonë në Amsterdam.
Ajo na kërkoi menjëherë adresën e dyqanit ku kameramani ynë kishte blerë një bliz portabël për telefonin e tij. Ndiqni intervistën për më shumë.
Publiku u njoh me emrin e Lucie Jones, e cila është lindur në kryeqytetin e Uellsit, në Kardif, pas pjesmarrjes së saj në edicionin e 6-të të programit televiziv “The X Factor UK” në vitin 2009, duke përfunduar e teta. Më pas, Lucie Jones vazhdoi karrierën e saj e cila tashmë është shtrirë në aktrim dhe modë, pas nënshkrimit me agjensinë e modeleve “Select Model Management” e më pas edhe me disa role në seriale dhe filma televiziv si dhe skena teatri në Britani.
Mbretëria e Bashkuar (Anglia) merr pjesë në natën finale. Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 13 Maj 2017 - ORA 21.00