San Marino, vendi i vogël që ndodhet në verilindje të vargmaleve apenine të Italisë, e cila është dhe republike me më shumë mjete motorrike sesa banorë, mori pjesë për herë të parë në Eurovizionin e vitit 2008 me grupin Miodio dhe më pas u shkëput duke u kthyer sërish dhe pa ndërprerje prej vitit 2011.
Në këto 7 pjesmarrje, San Marino ka arritur të futet në finale vetëm një herë dhe kjo ndodhi tre vite më parë në Eurovizionin e zhvilluar në Kopenhagë të Danimarkës.
Vitin e kaluar ata morën pjesë me këngëtarin turk, Serhat, i cili vizitoi edhe Tiranën gjatë turneut të tij promovues.
Gjatë Eurovisionit të vitit të kaluar, ai krijoi një lidhje mjaft miqsore me Enedën, saqë tashmë ata kanë vendosur që të nxjerrin edhe një këngë sëbashku, për të cilën do t’ju informojmë më shumë në një artikull tjetër.
San Marino është një nga vendet e cila voton me zemërgjerësi për përfaqësimet tona, por për fat të keq ky vend do të marrë pjesë në gjysëmfinalen e dytë.
SMRTV i cili është Radio Televizioni Publik i San Marinos, ka vendosur që në Kiev të rikthejë këngëtaren Valentina Monetta, e cila mund të quhet tashmë veterane e Eurovisionit.
Valentina mori pjesë, si përfaqësuese e San Marinos, për herë të parë në vitin 2012, e më pas në vitin 2013, por pa arritur në finale.
Më në fund ajo arriti qëllimin e futjes në finale, me pjesmarrjen e saj në vitin 2014, por nuk i dha San Marinos ndonjë rezultat të veçantë duke u renditur e 24-ta.
Tashmë ajo po i rikthehet Eurovisionin për herën e katërt, duke e bërë atë si një nga tre artistet femra me më tepër përfaqësime në Eurovision.
Kësaj here, ajo vjen me një duet sëbashku me këngëtarin amerikan Jimmie Wilson dhe këngën "Spirit of the Night" (Shpirti i natës).
Jimmie, është këngëtar dhe aktor i lindur në Detroit të SH.B.A dhe me banim në Gjermani.
San Marino konkurron me numrin 10. në gjysëmfinalen e dytë.Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 11 Maj 2017 - ORA 21.00