Kur vjen fjala për në Eurovision, Danimarka është një nga vendet që nuk njeh rrugë të mesme. Ata filluan të merrnin pjesë në Eurovision në vitin 1957, dhe në 45 përfaqësime që danezët kanë sjellë në festivalin Evropian, shpesh herë janë renditur afër vendeve të fundit dhe shpesh herë kanë arritur afër vendeve të para.
Danimarka ka arritur të fitojë tre herë në Eurovision, në vitin 1963 me këngën “Dansevise” (Këngë vallzimi) të këngëtarëve Grethe & Joergen Ingmann, fitore e cila ishte e para për vendet e gadishullit Skandinav.
Në vitin 2000 danezët fituan sërish Eurovisionin me këngën “Fly on the wings of love” (Fluturo me krahët e dashurisë) të vëllezërve Joergen & Niels Olsen.
Fitorja e tretë dhe e fundit për Danimarkën, ishte jo më larg se në vitin 2013 me këngën “Only teardrops” (Vetëm pikë loti) të këngëtares simpatike Emmelie de Forest, e cila ishte dhe e ftuar në natën finale të Festivalit të Këngës në dhjetor të po të njëjtit vit.
Megjithëse Danimarka ka arritur rezultate të kënaqshme në Eurovision, këto dy vitet e fundit ata nuk kanë arritur dot në finale. Vitin e kaluar atapatën edhe një nga rezultatet më të dobta të këtyre viteve të fundit, duke u renditur të parafundit në gjysëmfinale me këngën “Soldiers of love” të grupit Lighthouse X.
Danezët e përzgjedhin përfaqësimin e tyre nëpërmjet festivalit me emër pompoz "Dansk Melodi Grand Prix " (Çmimi i madh i melodisë daneze).
Edhe këtë herë, në këtë festival u përcollën 10 këngë nga prej të cilave votimi publik shpalli si fituese këngëtaren 21 vjeçare Anja Nissen me këngën "Where I am" (Aty ku ndodhem)
Anja është e lindur në Sidney të Australisë nga prindër danezë të emigruar në Australi.
Ne patëm fatin që takonim këtë këngëtare mjaft simpatike, gjatë takimit me shtypin në Amsterdam. Përveç vokalit mjaft të fortë të saj, ajo na tregoi edhe për dëshirën që ka për t'a vizituar Shqipërinë në të ardhmen dhe për dëshirën për të qenë e ftuar në një dasëm shqiptare.
Nën patronazhin e mentorit të saj, will.i.am, Anja Nissen fitoi trofeun e edicionit të tretë të programit televiziv “X-Factor” në Australi, por më pas ajo i është shkëputur karrierës së saj atje, duke iu dedikuar më shumë tregut muzikor danez. Vitin e kaluar ajo konkurroi dhe arriti çmimin e dytë në festivalin përzgjedhëz danez me këngën “Never alone” (Asnjëherë vetëm) të kompozuar nga Emmelie De Forest.
Por mesa duket, Anja nuk duhej të priste gjatë për fitoren. Këtë vit ajo u kthye me këngën “Where I am” e cila është kompozuar nga vetë këngëtarja dhe me bashkpunim të Angel Tupai & Michael D'Arcy.
Danimarka konkurron me numrin 8. në gjysëmfinalen e dytë. Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 11 Maj 2017 - ORA 21.00