Jugosllavia, e cila u krijua në vitin 1918 si monarki me titullin Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Slovenëve, më pas në vitin 1929 mori emrin Mbretëria e Jugosllavisë. Në vitin 1945, menjëherë, pas luftës së dytë botërore, Jugosllavia u kthye në një republikë federale, duke njohur Bosnjën & Hercegovinën, Kroacinë, Sllovenine, Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi si republika të kësaj federate, ndërsa Kosovën dhe Vojvodinën si provinca autonome të Serbisë.
Pjesmarrja e parë e Jugosllavisë në festivalin e parë Evropian ishte me këngëtaren Ljiljana Petrović dhe këngën "Neke davne zvezde" (Disa yje të lashtë), e cila zuri edhe vendin e 8-të në edicionin e vitit 1961, i cili u zhvillua në Kanë të Francës.
Mënyra e përzgjedhjes së këngëve përfaqësuese jugosllave, bëhej nëpërmjet festivalit "Jugovizija", i cili mbahej çdo vit, në një qytet të ndryshëm të republikave dhe provincave të federatës jugosllave, madje në vitin 1986 ky festival u mbajt në Prishtinë, duke shpallur fituese të tij këngëtaren kroate, Doris Dragović, me këngën "Željo moja" (Dëshira ime).
Në festivalin Jugovizija ka marrë pjesë disa herë edhe Radio Televizioni Publik i Prishtinës (RTP), duke nisur nga viti 1971.
Disa nga pjesmarrësit shqiptarë, të cilët kanë sjellë këngë në gjuhën shqipe në festivalin jugosllav, janë Armend dhe Violeta Rexhepagiq dhe grupin Trio Rona, pjesë e së cilit ishte edhe këngëtarja e mirënjohur Gili.
Qershori i vitit 1991, shpallja e pavarsisë së Sllovenisë dhe e Kroacisë solli edhe fillimin e shpërbërjes së federatës jugosllave, proces i cili përfundoi me shpalljen e Republikës së Kosovës në 18 Shkurt të vitit 2008.
Gjithashtu edhe festivali Jugovizija do të pësonte të njëjtin fat, duke patur edicionin e tij të fundit në vitin 1992, i cili u mbajt në Beograd.
Pas shpërbërjes së federatës jugosllave, në Eurovision u ftuan një nga një të gjitha republikat e saj, thuajse menjëherë pas shkëputjes por çuditërisht, Kosova vazhdon të ngelet pa ftesë, gjë ne e mirëpresim duke i bërë thirrje organizatorit të festivalit Evropian, EBU (Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve) që kjo ftesë të vijë sa më shpejt në Kosovë.