Kodi i fitores?
Pas thuajse 4 dekadash, kupa e festivalit evropian po rikthehet në Zvicër. Për këngëtarin Nemo dhe Radio Televizionit Publik të Zvicrës nuk mund të them gjë t tjetër përveç se URIME për fitoren!
Por si e arritën ata këtë fitore pas një periudhe 36 vjeçare me disa disfata dhe pak suksese. Pas fitores me këngëtaren kanadeze,asokohe thuajse e panjohur por tashmë me një famë globale, Celine Dion, Zvicra është renditur në fund të tabelës së klasifikimit disa herë dhe madje pas riformatimit që pësoi Festivali Evropian në vitin 2004 me nxjerrjen e gjysëmfinaleve, Zvicra ka arritur të kalojë në finale vetëm 8 nga 19 prej tyre. Rezultatet më të mirë deri në arritjen e kësaj fitore, ishin përfaqësimi me këngëtarin Luca Hänni në vitin 2019 si edhe përfaqësimi me këngëtarin shqiptar Gjon’s Tears (Gjon Muharremaj) në vitin 2021. Vetëm në këto pak vitet e fundit, Zvicra arriti sërish në krye të tabelës e tashmë duke edhe rrëmbyer trofeun sërish me Nemo. Radio Televizioni Publik Zviceran ka provuar shumë mënyra për të përzgjedhur këngën e tyre përfaqësuese në Eurovision, këto vitet e fundit përzgjedhjet janë bërë në mënyrë të brendshme, mënyrë e cila lejon që vetë ky Radio Televizion Publik të vendosë se cila këngë dhe artist do të përfaqësojë vendin e kjo gjë bëhet nga ekspertë muzike të cilët vendosin. Shqipëria kësaj here nuk arriti dot në finale, por edhe një herë Shqipëria solli një nga vokalistët më të mirë që ka vendi. Kur thua emrin e saj, personalisht më vjen në mëndje vokali i saj i fortë dhe bukuria shpirtërore e saj, sigurisht edhe bukuria e jashtme por ajo vjen nga e brendshmja. Nuk mu besua që Besa do rikthehej në festivalin e këngës në RTSH, por kur u zyrtarizua, unë si fans, një i njohur dhe tashmë mik i saj jam gëzuar jashtëmase. Falë votës së publikut, Besa me këngën “Titan” na përfaqësoi denjësisht dhe duke dhënë maksimumin e saj në çdo detaj, si atë të paraqitjes skenike, me vokal dhe interpretim, gjithashtu edhe me përfaqësimin mediatik duke marrë pjesë në thuajse çdo eveniment promovues për të promovuar këngën dhe jo vetëm, sepse falë saj edhe Shqipëria turistike pati një vëmendje të madhe. Kur të huajt më pyesin se përse duhet ta vizitojnë Shqipërinë, unë i them gjithmonë se është për natyrën e bukur, ushqimin e shijshëm dhe veçanërisht për njerzit. Kjo gjë u vërtetua edhe kësaj here me mirësinë që reflekton Besa dhe gjithashtu antarët nga delegacioni shqiptar. Ndonëse përfaqësimi ynë nuk arriti dot në finale e ndonëse paraqitja e saj në festivalin evropian ishte një nga më dinjitozet, është një këngë e cila u vlerësua në vend të parë nga publiku shqiptar. Po përse nuk e votoi publiku evropian? A duhet patjetër ti hidhet faji dikujt? Sepse dëgjova se disa ia hedhin fajin rikthimit të përzgjedhjes me votë publike në festivalin e këngës, po nëse është më mirë me juri përse nuk kemi dalë gjithmonë në finale? Ndoshta është mënyra e përzgjedhjes, ndoshta nuk duhej të ishte me festivalin e këngës, por përse Italia renditet mjaft mirë që e përzgjedh me Sanremon (format i cili ka frymëzuar edhe festivalin tonë). Është e natyrshme që lindjen mjaft pyetje dhe hamendësime pas një rezultati jo të mirë, madje është një gjë e mirë sepse tregon reflektim dhe dëshirën për t’a fituar, por që fundja ndoshta vetëm jep një përgjigje: Kodi i fitores, kënga e pershtatshme në momentin e përshtatshëm!
Ndoshta do të kishte fituar Kroacia?
Ky vit solli shumë ndryshime në këtë edicion të 68. të Festivalit evropian të këngës, festival i cili filloi në vitin 1956 dhe që pati për frymëzim festivalin e Sanremos i cili nisi në vitin 1951. Ndonëse edhe Sanremo ka pësuar mjaft ndryshime, Italia vazhdon t’i qëndrojë besnike dy nga elementeve më kyçe të një festivali, këndimit live dhe orkestrës. Festivali evropian ka kohë që është shkëputur patjes së një orkestre live, por tashmë edhe këndimit live po duket sikur po i shkëputet dalngadalë.Një nga ndryshimet e këtij viti ishte që këngëtarët duhet të këndojnë live vetëm pjesët solo ndërsa pjesa e këngëtarëve shoqërues (backing vocals) mund të ishte edhe e regjistruar. Shumë artistë pjesmarrës morën shkas nga ky ndryshim i rregullores, përfshi Nemon e Zvicrës, i cili do njihet shumë për akrobacitë dhe veshjen e tij të veçantë, gjë që mund të thuhet edhe për Joost Klein të Holandës, i cili kishte gjithashtu një pamje mjaft të veçantë, një këngë thuajse komplet të para inçizuar në shumë nga pjesët e vokalit, por me më pak pjesë akrobacie në interpretim në krahasim me Nemon e Zvicrës.
Ah ky i fundit,Joosti i Holandës, që tashmë do mbetet një nga skandalet më të mëdha që ka pësuar Festivali Evropian. Këngëtari i Holandës, nga i cili pritej një rezultat mjaft i mirë u diskualifikua në natën finale, arsyet mbeten ende të paqarta pasi investigimi është në vazhdim e sipër. Pa iu futur çështjes në detaje, pasi do të ishin vetëm hamëndsime për momentin, organizatorët vendosën që këngëtari i Holandës të përjashtohej nga konkurrimi i natës finale, vendim i cili solli një reagim të fortë të mediave dhe shumë artistëve holandeze dhe të huaja kundër organizatorëve të Eurovisionit për vendimin, vendim që ndoshta solli një rezultat final i cili mund të kishte qenë pak më ndryshe. Ndoshta Kroacia do të kishte fituar nëse Holanda nuk do dëbohej.
Ky është mendimi im dhe unë e bazoj këtë gjë në faktin se Holanda ishte një nga vendet që priteshin të renditeshin mjaft mirë sivjet e kjo gjë tashmë është e vërtetuar kur sheh rezultatin e tyre në gjysëmfinale, të dytët me 182, vetëm 12 pikë më pak nga Izraeli që fitoi gjysëmfinalen e dytë me 194 pikë. Në këtë gjysëmfinale konkurroi edhe Zvicra, por ama Nemo u rendit i 4. me 132 pikë, domethënë 50 pikë më pak se Holanda. Kroacia nga ana tjetër morën pjesë në gjysëmfinale e parë duke e fituar atë me 177 pikë, pas tyre u rendit Ukraina me 173 pikë, pra vetëm 4 pikë më pak se përfaqësimi kroat. Në natën finale, Zvicra arriti fitoren me një sasi pikësh e cila ishte 44 pikë më e lartë se e Kroacisë, duke lënë pas madje edhe përfaqësuesen e Izraelit e cila arriti të fitonte gjysëmfinalen e parë. Në gjysëmfinale votimi bëhet vetëm me televotim dhe jo me juri, kjo gjë u pa dukshëm në natën finale pasi juritë profesionale i dhanë këngëtarit të Zvicrës një përparësi të dukshme gjatë votimit dhe në përfundim të shpalljeve të votave të jurive, Zvicra ishte fitimtare dhe Kroacia ishte jashtë vendeve në krye të klasifikimit. Votimi i publikut thuajse e përmbysi vendimin e jurisë duke i dhënë kroatit Baby Lasagna 337 pikë ndërsa zviceranit Nemo vetëm 206 pikë. Gjithashtu vota e publikut vlerësoi në finale shumë më lartë këngët e Izraelit (323 pikë) Ukrainës (307 pikë) Francën (227 pikë).
Po sikur mos të kishte ndodhur përjashtimi i Holandës, sa pikë do ti kishte dhënë juria dhe publiku këngëtarit Joost Klein. Që publiku do të ishte treguar bujar me Joost kjo gjë është e sigurt, pasi ai u rendit i dyti në gjysëmfinalen e dytë duke e lënë Zvicrën në vendin e katërt. Ndoshta juritë profesionale nuk do ishin treguar po aq bujare sa publiku, por gjithsesi ky fakt besoj se do kishte ndikuar te renditej e publikut për këngën e Zvicrës.
Protestë pa zhurmë?
Pjesmarrja e Izraelit këtë vit ishte një nga detajet më të bujshme të këtij edicioni, pasi nuk u prit aspak mirë madje u protestua gjerësisht nga shumë vende të tjera pjesmarrëse, u protestua nëpër evenimente të ndryshme që kanë lidhje me Eurovisionin. Pa dashur të hyj te pjesa nëse Izraeli duhej të merrte pjesë ose jo, faktet janë se nuk besoj të ketë patur më shumë polici dhe masa siguria në një festival sesa ky i fundit. Ishte impenjuar gjithë policia vendase, madje me shumë forca policie ndihmëse nga Danimarka dhe Norvegjia, për të garantuar mbarvajtjen e frestivalit dhe sigurinë e mediave dhe fansave të pranishëm në Malmö. Përveç banderolave dhe muzikës nga festivalit evropian, Malmö ishte e mbushur plot edhe me ngjyrat e flamujve të Palestinës dhe thirrjeve të protestuesve pro-palestinezë. Këtë herë, ndonëse arrita të shihja mjaft fansë nga Izraeli, që e di që janë nga Izraeli pasi i kam takuar në edicione të kaluara, nuk arrita të shoh dot një flamur të Izraelit jashtë arenës. Arsyen e kuptoj mjaft mirë, valvitja e flamurit izraelit a ndoshta çdo shenjë hebreje do të kishte sjellë incidente të padëshiruara për ta, pasi do ishte parë si provokim ndaj protestuesve. Në këto ditë mu rikujtuan ditët e qëndrimit tim në festivalin evropian në Beograd, në vitin 2008. Atëherë Shqipëria përfaqësohej nga këngëtarja Olta Boka, e cila ishte vetëm 16 vjeç kur u ngjit për të kënduar në shqip këngën tonë përfaqësuese “Zemrën lamë peng”. Mu kujtua sese e vështirë ishte të ngreje flamurin tonë kombëtar jashtë arenës pasi mund të merrej si provokim nga ndonjë serb. Mu kujtuan ato ulërimat e forta booooo në arenë që u bënë kur Olta u ngjit në skenë. Këngëtarja Eden e Izraelit, e cila ështe gjithashtu një vajzë e re 20 vjeçare sigurisht që e pati mjaft të vështirë që të përfaqësonte vendin e saj në këtë periudhë konflikti, e kjo gjë u pa gjatë interpretimit të saj pasi fishkëllimat dhe boooo-të në arenë nuk rreshtnin së pushuari që nga fillimi i këngës e deri në fund. Përfaqësimi i Izraelit këtë vit pati mjaft mbulim nga mediat për arsyen pse ata ishin lejuar të merrnin pjesë dhe jo për faktin se kishin sjellë një këngë të bukur dhe një këngëtare me vokal mjaft të mirë (por ky është mendimi im dhe kur flitet për muzikën, shijet janë komplet subjetktive). Në fund, Izraeli arriti të fitonte në gjysëmfinalen e dytë dhe një sasi mjaft të madhe pikësh nga vota publike në finale, ndoshta publiku votoi për këngën, ndoshta publiku protestoi pa zhurmë por duke votuar për këngëtaren e cila arriti të interpretonte në një arenë me një atmosferë tejet negative ndaj Izraelit, sepse nuk ka logjikë që ti hedhësh faj një artistjeje 20 vjeçare për gjithë konfliktin Izrael / Palestinë.
Comments