Pas publikimit të 42 këngëve përfaqësuese të vendeve pjesmarrëse në edicionin e ardhshëm të festivalit Evropian të këngës 2018, është tashmë rradha për premierën e këngës përfaqësuese të Shqipërisë, versioni 3 minuta të këngës Mall. Burime në RTSH tregojnë se data e publikimit të videoklipit, është vendosur për në ditët e ardhshme, por pa treguar ditën dhe orarin e premierës.
Në ditët e fundit ka patur shumë spekullime për datën dhe orarin e publikimit të këngës dhe videoklipit të këngës. Ajo çfarë dihet deri tani, është se versioni prej 3 minutash i këngës, është gati. Kënga u regjistrua në një studio muzikore në Bruksel, vetëm 2 javë më parë, ndërsa për videoklipin shoqërues, RTSH nuk ka dhënë asnjë detaj. I vetmi detaj mbi videoklipin, ishte një informacion i dhënë para disa ditësh nga burime të besueshme në RTSH, ku u tha se videoklipi ishte në montazh, por që nuk kishte përfunduar ende. Kjo ishte edhe arsyeja, për të cilën RTSH, vendosi që të mos publikonte datën dhe orarin e publikimit e këngës dhe videoklipit.
Ajo çfarë dihet me siguri është se versioni i ri i këngës Mall, këngë e cila do të këndohet në gjuhën amtare, sot i është dorëzuar zyrtarisht entit organizues të Eurovizionit, të cilët janë EBU (Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve) dhe RTP (Radio Televizioni publik portugez).
Ajo çfarë nuk dihet me siguri, ështe nëse është bërë dorëzimi i videoklipit të këngës në entin organizues të Eurovizionit, kjo sepse nuk ka ndonjë kërkesë nga organizatorët që këngët patjetër duhet të kenë videoklip.
RTSH vazhdon të mbetet e heshtur mbi datën e publikimit, duke na bërë që të mendojmë se publikimi i këngës dhe videoklipit, do të bëhet në ditët e ardhshme.
Kjo është një taktikë e mirëfilltë nga ana e RTSH-së, pasi nuk ka patur ndonjë lajm të veçantë në mediat evropiane, mbi këngën shqiptare këto dy muajt e fundit. Edhe vetë këngëtari, Eugent Bushpepa, ka qenë shumë pak i eksponuar nga mediat, gjë që është paprecedentë nëse e krahasojmë me shumë nga artistët tanë ish-pjesmarrës në edicionet e kaluara.
Por duhet thënë se Shqipëria ishte vendi i parë që zgjodhi këngën dhe artistin përfaqësues për në Lisbonë. Muajt që pasuan, nuk sollën lajme të veçanta mbi përfaqësimin tonë në këtë event, ndaj publikimi i vonë i versionit të ri, mund të jetë një taktikë e mirëmenduar nga ana e RTSH-së për të krijuar lajm.
Eugent Bushpepa do të konkurrojë në gjysëmfinalen e parë të Eurovizionit, atë të datës 8 Maj 2018. Festivali Evropian i Këngës, Eurovision Song Contest 2018, do të zhvillohet në Lisbonë më datat 8,10 & 12 Maj. Ju keni mundësi që t'i ndiqni të treja netët e këtij festivali, nëpërmjet valëve të RTSH.