Danimarka filloi të merrte pjesë në Eurovision në vitin 1957, dhe në 46 përfaqësime që danezët kanë sjellë në festivalin Evropian, shpesh herë janë renditur afër vendeve të fundit dhe shpesh herë kanë arritur afër vendeve të para.
Danimarka është një nga vendet që nuk njeh rrugë të mesme, ata kanë arritur të fitojnë tre herë në Eurovision, në vitin 1963 me këngën “Dansevise” (Këngë vallzimi) të këngëtarëve Grethe & Joergen Ingmann, fitore e cila ishte e para për vendet e gadishullit Skandinav.
Në vitin 2000 danezët fituan sërish Eurovisionin me këngën “Fly on the wings of love” (Fluturo me krahët e dashurisë) të vëllezërve Jørgen & Niels Olsen.
Fitorja e tretë dhe e fundit për Danimarkën, ishte jo më larg se në vitin 2013 me këngën “Only teardrops” (Vetëm pikë loti) të këngëtares simpatike Emmelie de Forest, e cila ishte dhe e ftuar nderi, në natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 2013
Megjithëse Danimarka ka arritur rezultate të kënaqshme në Eurovision, këto tre vitet e fundit ata nuk kanë arritur rezultate të kënaqshme. Pas dy vitesh në gjysëmfinale, vitin e kaluar ata arritën në finalen e madhe, por duke u renditur në vendin e 20. me këngën "Where I am" kënduar nga këngëtarja, mjaft simpatike, Anja Nissen.
Danezët e përzgjedhin përfaqësimin e tyre nëpërmjet festivalit me emër pompoz "Dansk Melodi Grand Prix " (Çmimi i madh i melodisë daneze).
Edhe këtë herë, në këtë festival u përcollën 10 këngë nga prej të cilave votimi publik shpalli si fitues këngëtarin 23 vjeçar, Jonas Flodager Rasmussen me këngën "Higher ground" (Pozicion i lartë)
Jonas Flodager Rasmussen, i cili njihet thjesht me mbiemrin e tij Rasmussen, është e lindur në qytetin verior Viborg, të Danimarkës.Ky këngëtar është vokalisti i grupit danez Hair Metal Heröes, grup i cili interpreton këngët e artistëve me emër, si psh. Elton John, ABBA etj.Rasmussen ka edhe një karrierë në aktrim, me role në disa opereta të njohura, si psh. West Side Story, Rent dhe Les Misérables.
E kompozuar nga Niclas Arn dhe Karl Eurén, kënga "Higher ground", duket si një himn që të bën të mendosh për legjendat mbi kohën e vikingëve, por këngëtari Rasmussen shpjegon se mesazhi që përcjell kjo këngë, është për të zgjidhur konfliktet me metoda paqësore dhe për t'ju shmangur përdorjes së dhunës.
Danimarka konkurron në gjysëmfinalen e dytë me numrin 5. Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 10 Maj 2018 - ORA 21.00