top of page
  • Writer's pictureRoni Klein

Australia; Jessica Mauboy - We got love


Australia, e cila vërtet ndodhet shumë larg kontinetit tonë, tashmë është pjesë e pandashme e festivalit Evropian të Këngës. Në këto pak vite pjesmarrje, Australia ka patur një sukses të jashtzakonshëm, duke arritur finalen në çdo pjesmarrje të tyre (në vitin 2015, Australia ishte e ftuar të konkurronte direkt në natën finale).

Në pjesmarrjen e tyre të parë, atë të vitit 2015, EBU (Bashkimi Evropian i Radio-Televzioneve) tha se pjesmarrja do ishte "one off" (vetëm për një herë), por kjo tashmë është vërtetuar si gënjeshtër, pasi australianët nuk i janë ndarë konkurrimit që prej vitit 2015, madje në fakt ata kanë filluar të marrin pjesë edhe në festivalin Evropian të këngës për fëmijë "Junior ESC".

Ky fakt duket vërtet shumë i çuditshëm, kur mendon se Radio Televizioni Publik i Kosovës RTK ka shprehur dëshirë të zjarrtë për të marrë pjesë por nuk i është mundësuar pjesmarrja, në festivalet Evropiane të këngës, ndërsa Australisë po.

Në konkurrencën e vitit 2016, Australia iu afrua shumë afër fitores, duke zënë vendin e dytë me këngëtaren mjaft simpatike Dami Im, me të cilën patëm mundësi të takoheshim në Stokholm dhe ti mësonim sesi bëhet shqiponja me duar. Vitin e kaluar, ata konkurruan me këngën "Don't come easy" (Mos eja lehtë), kënduar nga këngëtari, me origjinë aborigjene australian, Isaiah Firebrace.

Edhe këtë herë, Radio Televizioni Publik Australian SBS, ka zgjedhur artisten dhe këngën përfaqësuese pa festival, por me mënyrë të brendshme. Edhe këtë herë, një këngëtare me origjinë aborigjene australiane. Ajo është 28 vjeçarja Jessica Mauboy, e cila është e lindur dhe e rritur në qytetin verior australian,Darwin.

Jessica ka një karrierë të gjatë në fushën e muzikës, karrierë e cila nisi në vitin 2006 me pjesmarrjen e saj në edicionin e katërt të spektaklit televiziv "Australian Idol", spektakël në të cilin ajo fitoi vendin e dytë, duke siguruar edhe një kontratë me kompaninë muzikore Sony Music.

Tashmë Jessica është një nga artistet më në zë në Australi, kjo pasi artistja ka publikuar disa albume të suksesshme muzikore dhe ka aktruar në disa filma dhe seriale televizive.

Në vitin 2014, Jessica ishte një nga artistët e ftuar në festivalin Evropian të këngës “Eurovision Song Contest 2014”, gjë që nisi dyshimet e fansave, mbi një pjesmarrje të Australisë në Eurovision. Këto dyshime, u vërtetuan me fillimin e pjesmarrjes së Australisë në këtë eveniment, një vit më vonë.

Kënga me të cilën Australia do të përfaqësohet në Lisbonë, mban titullin "We got love" (Ne kemi dashuri). Kjo këngë është kompozuar nga vetë Jessica, në bashkpunim me kompozitorët Anthony Egizii dhe David Musumeci.

Australia konkurron në gjysëmfinalen e dytë me numrin 9. Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 10 Maj 2018 - ORA 21.00


11 views0 comments
bottom of page