Në 34 pjesmarrje, Qipro, nuk ka fituar asnjëherë dhe si rezultat më të mirë kanë një vend të 5, në vitet 1982,1997 dhe 2004.
Në vitin 1982 ata u përfaqësuan me këngën "Mono i agapi" (Vetëm dashuri) të këngëtares së mirënjohur me origjinë qipriote, Anna Vissi.
Qipro filloi të merrte pjesë në Eurovision në vitin 1981. Disa nga emrat që spikasin në listën e përfaqësuesve qipriotë janë, këngëtari Constantinos Christoforoui,i cili ka përfaqësuar Qipron si solist ose pjesë e një grupi në vitet 1996, 2002 dhe vitin 2005 me këngën "Ela ela" (Eja Eja), si edhe kantautori i susksseshëm Alexandros Panayi, i cili ka një karrierë të gjatë muzikore duke përfaqësuar vendin e tij në vitet 1995 dhe 2000.
Panayi gjithashtu ka qenë trainer vokali për këngëtarët Anna Vissi, Fabrizio Faniello dhe Elena Paparizou.
Këtë herë, Qipro, merr pjesë me këngëtaren Eleni Fouriera, e cila ka lindur në qytetin e Fierit në muajin mars të vitit 1987 dhe është e regjistruar në gjendjen civile në Shqipëri me emrin Entela Fureraj. Pak vite më vonë, në vitin 1997, familja Fureraj, vendosi që si shumë shqiptarë të tjerë, të provonin fatin e tyre për një jetë më të mirë në Greqi.
Këngëtarja u bë pjesë e grupit muzikor Mystique, një grup muzikor vajzash të cilat krahasohen me grupin britanik Spice Girls. Ajo u zbulua nga producenti muzikor grek Andreas Giatrakos, i cili më vonë ka treguar se ai dëshironte që Eleni të ndjehej krenare mbi origjinën e saj shqiptare.
Para më tepër se tetë vitesh, Eleni u përfol gjatë në mediat greke dhe ato shqiptare, pasi spekullohej shumë mbi origjinën e saj. Kur ajo ishte antare e grupit Mystique, ajo kishte deklaruar se ishte me origjinë braziliane, për shkak të tipareve latine të saj, por pas kërkesës së saj për nënshtetsinë greke, në vitin 2010, mediat greke filluan spekullimet mbi prejardhjen e saj. Në vitin 2013, një media greke, zbuloi më në fund origjinën e Elenit, e cila më pas pohoi lajmin duke thënë se veprimi i saj ishte për arsye të racizmit grek ndaj shqiptarëve.
Eleni, ka tashmë një karrierë të gjatë në muzikën greke, fillimisht si pjestare e grupit Mystique dhe më pas si këngëtare soliste. Ajo ka shumë këngë të cilat kanë kapur majat e hitlistave muzikore në Greqi dhe Qipro, dhe shumë çmime e nominime si artistja më e mirë e vitit, shpallur nga MAD TV.
Ndonëse Eleni është treguar e gatshme, madje dhe fansat e saj në Greqi, kanë insistuar shumë herë që këngëtarja 31 vjeçare, të përfaqësojë Greqinë në Eurovision, kjo gjë është refuzuar nga Radio Televizioni publik Grek ERT.
Por Radio Televizioni Publik Qipriot, CyBC, më në fund ka realizuar ëndrrën e këngëtares dhe dëshirën e fansave grek duke e zgjedhur atë, si përfaqësuesen e tyre. Kënga që Eleni do të këndojë në Lisbonë, mban titullin "Fuego" (Zjarr). Ndonëse titulli i këngës është në gjuhën spanjolle, kënga e saj do të këndohet në anglisht.
"Fuego" është një kompozim i greko-suedez i kompozitorëve Alex Papaconstantinou, Geraldo Sandell, Viktor Svensson, Anderz Wrethov dhe Didrick.
Qipro konkurron në gjysëmfinalen e parë me numrin 19.Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 08 Maj 2018 - ORA 21.00