Estonia po merr pjesë për të 24. herë dhe është një nga vendet e para që iu bashkua Eurovisionit pas rënies të Bashkimit Sovjetik me pjesmarrjen e parë në vitin 1994.
Ndonëse nuk kanë patur ndonjë sukses të veçantë në këto 12 vitet e fundit, duke arritur në finale vetëm 3 herë, Estonia e ka fituar Eurovisionin më parë në vitin 2001 me këngëtarët Tannel Padar, Dave Benton & 2XL dhe këngën "Everybody". Fitorja e tyre në vitin 2001, surprizoi gjithë publikun e gjerë, pasi ishte një vit me mjaft konkurrencë të fortë mes përfaqësimeve të Francës, Danimarkës, Maltës, Greqisë & Sllovenisë.
Edhe pse vitin e kaluar, ata u përfolën si një nga këngët favorite, ata nuk arritën të siguronin një vend në finale me këngëtarët Koit Toome & Laura dhe këngën e tyre me titull "Verona", këngë e cila zuri vendin 14. në gjysëmfinalen e dytë në Kiev duke mbledhur gjithsej 85 pikë.
Estonia e zgjedh këngën me festivalin "Eesti Laul" që kësaj here kishte finale në datën 03 Mars. Në finale morën pjesë 10 këngë, nga të cilat publiku votoi bindshëm për këngën me titull "La forza" kënduar nga këngëtarja, Elina Nechayeva.
E lindur në kryeqytetin e Estonisë, Talin, 26 vjeçarja Nechayeva është një artiste e diplomuar në akademinë e muzikës dhe teatrit të Estonisë, në degën e muzikës klasike.
Kënga e saj, "La forza" (Fuqia) do të këndohet në gjuhën italiane. Kënga është e kompozuar nga vetë artistja, sëbashku me Ksenia Kuchukova, Mihkel Mattisen dhe Timo Vendt.
Estonia konkurron në gjysëmfinalen e parë me numrin 9. Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 08 Maj 2018 - ORA 21.00