top of page
  • Writer's pictureRoni Klein

Franca; Madame Monsieur - Mercy


Franca ka 60 pjesmarrje në Eurovision dhe është një nga vendet që filloi të merrte pjesë prej fillimit të tij. Franca i ka munguar konkurrencës vetëm dy herë, hera e parë ishte në vitin 1974, por megjithëse ata ishin gati për përfaqësimin e tyre (këngëtari dhe kënga ishin zgjedhur) ata u tërhoqën për arsye se Franca ishte në ditë zie pas vdekjes së presidentit Georges Pompidou, në të njëjtën javë kur zhvillohej festivali Evropian i këngës. Herën e dytë, mungesa e Francës erdhi sepse drejtori artistik i atëhershëm i Radio Televizionit Publik Francez (TF1) e quajti Eurovisionin "monument të kotësisë" dhe pjesmarrësit në Eurovision si njerëz pa talent dhe mediokër. Ishte reagimi i publikut ai që e ktheu Eurovizionin në axhendën e ditës në Francë. Radio Televizioni Publik Antenne 2, mori përsipër përfaqësimet franceze, duke zëvëndësuar kanalin e parë në EBU (Bashkimi i Televizioneve Europiane, i cili është enti krijues i konceptit Eurovision). Franca, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Spanjën dhe Italinë janë vendet që përbëjnë "The Big 5" (Pesë vendet e mëdha), vende të cila së bashku me vendin organizues, janë gjithmonë prezent në finale. Ndoshta kjo ka qenë diçka e vlefshme për Francën, sepse megjithëse ata e kanë fituar Eurovizionin plot 5 herë, fitorja e tyre e fundit është e vitit 1977. Ata kanë provuar gati gjithçka për t'ju afruar fitores, madje duke dërguar edhe këngëtaren e mirënjohur Patricia Kaas në vitin 2009 me këngën "Et s'il fallait le faire" (Nëse do të më duhej që ta bëja) por ajo u rendit në vendin e 8-të. Vitin e kaluar, Franca, u përfaqsua me këngën “Requiem”, të kënduar nga këngëtarja simpatike franceze Alexandra Maquet (e cila njihet më mirë me emrin e saj të artit, Alma). Ndonëse kënga e saj, u përfol si një nga këngët që mund të arrinte rezultate të mira në Eurovision, rezultati përfundimtar e renditi atë në mesin e tabelës, në vendin e 12. Pas një periudhe 3 vjeçare, me përzgjedhje të brendshme të radio televizionit publik francez, këtë herë, kënga franceze u zgjodh nga publiku nëpërmjet një konkursi muzikor me titull “Destination Eurovision” (Vendmbërritja Eurovision). Pas dy gjysëmfinaleve, për natën finale të konkursit e cila u mbajt më datë 27 janar, u zgjodhën 8 këngë. Ndonëse juria ndërkombëtare, vlerësoi më tepër këngën e cila fitoi çmimin e dytë, votimi i publikut francez vlerësoi me çmimin e parë këngën “Mercy”. Kënga është e kompozuar nga dy artistët e grupit Madame Monsieur (Émilie Satt dhe Jean-Karl Lucas), grup i cili do përfaqësojë Francën në Lisbonë. Kënga e tyre flet për krizën e refugjatëve që ka kaptuar, jo vetëm Francën, por edhe të gjithë Evropën. Grupi Madame Monsieur, ka në treg një album muzikor, të titulluar “Tandem” të vitit 2015. Franca konkurron direkt në finale.Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 12 Maj 2018 - ORA 21.00


9 views0 comments
bottom of page