Gjeorgjia mori pjesë për herë të parë në Eurovizion në vitin 2007 dhe ndonëse e ka arritur finalen 6 herë nga 10 pjesmarrje, nuk ka ndonjë renditje shumë të mirë në Eurovizion, duke patur dy vende të 9. atë të vitit 2010 dhe 2011. Në vitin 2014 ata patën rezultatin më të keq në historinë e tyre në Eurovizion, duke u renditur të fundit në gjysëmfinalen e tyre, ndërsa vitin 2016, ata surprizuan publikun me daljen e tyre në finale me këngën ”Midnight Gold” , e cila u rendit në vendin e 20. Më datë 31.12.2017, Radio Televizioni Publik Gjeorgjian, GBP, lajmëroi se përzgjedhja për në Lisbonë ishte bërë në mënyrë të brendshme nga ekspertë të muzikës pranë GBP. Po në të njëjtën ditë, GBP publikoi lajmin se për përfaqësim kishin zgjedhur grupin Iriao, grup i cili përbëhet nga 7 antarë por ndër të cilët, vetëm gjashtë do jenë në skenën e arenës në Lisbonë, duke respektuar rregulloren e Eurovisionit. Ndërsa publikimi i emrit të grupit përfaqësues erdhi shumë shpejt, për këngën u desh të prisnim deri në ditët e mes marsit. Kënga “For you - Sheni gulistvis” (Për ty), u publikua në kanalin zyrtar YouTube të Eurovisionit më datë 13 Mars, në të njëjtën ditë ku u zhvillua mbledhja e kryetarëve të gjithë delegacioneve pjesmarrëse në Eurovision. Kjo këngë, është një krijim i një prej antarëve të grupit, kompozitorit Davit Malazonia, dhe poetes Irina Sanikdze. Në Eurovisionin e vitit 2009, Gjeorgjia u prezantua me këngën "We Don't Wanna Put In", por kjo këngë u diskualifikua për përmbajtje politike, duke bërë që Gjeorgjia të mos merrte pjesë në Eurovision atë vit. Edhe vitin e kaluar, kënga e Gjeorgjisë përcolli notacione politike. Në grafikën e përdorur, gjatë interpretimit live të festivalit Gjeorgjian, shiheshin titujt e gazetave mbi tensionet ushtarake dhe përplasjet mes Gjeorgjisë dhe separatistëve Osetisë së Jugut, të cilat çuan në Luftën ruso-gjeorgjiane të vitit 2008. Por këtë vit, kënga “For you” sjell një mesazh për dashurinë dhe mirësinë mes njerzve, e ndonëse zyrtarisht kjo këngë ka një titull në gjuhën angleze, ajo do interpretohet në gjeorgjisht në Lisbonë. Gjeorgjia konkurron në gjysëmfinalen e dytë me numrin 10. Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 10 Maj 2018 - ORA 21.00