Izraeli ka filluar pjesmarrjen në Eurovision në vitin 1973 dhe ka arritur ta fitojë atë 3 herë, në vitet 1978, 1979 dhe së fundmi në vitin 1998 me këngëtaren Dana International.
Pas një periudhe ku Izraeli pati vështirësi për të hyrë në finale, gjithçka ndryshoi tre vite më parë, me arritjen në finale dhe renditjen e tyre në vendin e 9-të me këngën "Golden boy" (Djalë flori) e cila u këndua nga këngëtari simpatik Nadav Guedj.
Këtë vit, Radio Televizioni Publik i Izraelit (IPBC) në bashkpunim me televizionin privat Keshet, sollën programin televiziv përzgjedhës për Eurovisionin “HaKokhav HaBa L'Eurovizion” (Ylli i ardhshëm në Eurovision). Ky format televiziv i cili zgjati disa javë, solli në konkurrim shumë artistë të rinj të cilët filluan me audicione dhe më pas eleminime sipas votimit të publikut izraelit.
Në fund, për në natën finale, u zgjodhën vetëm 4 artistë, nga të cilët trofeun e fitoi këngëtari 25 vjeçarja nga qyteti Hod HaSharon, me emrin Netta Barzilai. Qyteti Hod HaSharon, është edhe vendlindja e artistit Imri Ziv i cili përfaqësoi denjësisht Izraelin vitin e kaluar, duke arritur në finale me këngën "I feel alive" (Ndjehem i gjallë).
Netta nuk ka ndonjë karrierë të veçantë në muzikë, por ajo ka marrë një vëmendje të veçantë nga publiku i gjërë evropian, menjëherë pas publikimit të këngës së saj "Toy" (Kukulla), këngë me të cilën ajo do të përfaqësojë shtetin e saj, në Lisbonë.
Kjo këngë, e cila është kompozuar nga Doron Medalie & Stav Beger, ka nxitur një seri komentesh, negative dhe pozitive, në rrjetet sociale, sepse një nga elementet e këngës, është edhe kakarisja si pulë e këngëtares gjatë këndimit të këngës. Një fjalë e urtë thotë "Ku ka zë, nuk është pa gjë", ndaj kjo këngë përflitet tashmë si një nga pretendentet për të fituar në edicionin e ardhshëm të festivalit Evropian të këngës. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që këngët izraelite përfliten si pretendte për rezultate të mira në Eurovision, ndaj na duhet të presim deri në maj, për të parë nëse vërtet kjo këngë do të marrë rezultatin që kërkon.
Izraeli konkurron në gjysëmfinalen e parë me numrin 7. Ju mund t'a ndiqni drejtpërsëdrejti në valët e RTSH 1 - 08 Maj 2018 - ORA 21.00