Polemikat dhe dyshimet? Të gjitha tashmë janë tejkaluar; ata fituan. Ermal Meta dhe Fabrizio Moro janë shpallur fitues të festivalit Sanremo 2018 me këngën "Non mi avete fatto niente", duke lënë pas në vendin e dytë grupin Lo Stato Sociale dhe në vendin e tretë këngëtaren Annalisa.
Gjatë konferencës për shtyp, mbajtur në orët e para të ditës së sotme, u konfirmua zyrtarisht, se dyshja Meta & Moro, do të përfaqësojnë Italinë në festivalin Evropian të Këngës, Eurovision Song Contest 2018, i cili do të zhvillohet në Lisbonë, Portugali, në muajin maj.
Pyetjes së gazetarit italian, Eddy Anselmi, nëse dyshja Meta & Moro do të pranonte që të përfaqësonte Italinë në Eurovizion, Ermali iu përgjigj me pyetjen;- A doni që t'ju përfaqësojmë?
Menjëherë më pas, u dëgjua një PO! e fortë, nga gazetarët e pranishëm në konferencës për shtyp.
Atëherë Ermali vazhdoi me fjalët;- Atëherë, ne do kemi nderin që t'ju përfaqësojmë atje.
Fitorja në Sanremo, e dyshes Meta & Moro, është përshëndetur edhe nga shumë artistë shqiptarë, ndër të tjerë edhe nga këngëtarja Aurela Gace, e cila, ka ripostuar në instagramin e saj, fotografinë e këngëtarëve me fjalët "Epo tani fitorja e Sanremos ka brenda një Shqiptar"
Italia merr pjesë direkt në natën finale të festivalit Evropian të Këngës,atë të datës 12 maj, pasi është një nga 5 vendet të ashtëquajtura Big 5.
Performanca e këngës pas shpalljes së fitores, e publikuar në kanalin zyrtar në YouTube të RAI, ka arritur mbi 1oo mijë shikime vetëm në pak orë.