Mes 70 këngëve që kanë aplikuar për tu ngjitur në skenën e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH, komisioni ka përzgjedhur 22 Finalistet të denja për të mbërritur tek publiku. Komisioni prej 5 anëtarësh në përbërje të të cilit janë Markelian Kapidani, Luan Zhegu, Ben Andoni, Sokol Marsi, Edmond Rapi kë percaktuar fitues këta emra sipas rendit alfabetik:
1-Artemisa Mithi 2-Bojken Lako 3-David dhe Genc Tukiqi 4-Denisa Gjezo 5-Elton Deda 6-Ergi Bregu-Latifllari 7-Eugent Bushpepa 8-Evans Rama 9-Grupi “AKULLTHYESIT” 10-Grupi “NA” dhe Festina Mezini 11-Grupi “LYNX” 12-Inest Neziri 13-LORELA 14-Manjola Nallbani 15-Mariza Ikonomi 16-Orgesa Zaimi 17-Redon Makashi 18-Rezarta Samja dhe Luis Ejlli 19-Stefi dhe Endri Prifti 20-Tahir Gjoci 21-Voltan Prodani 22-Xhesika Polo
Sipas drejtorit muzikor të festivalit Sokol Marsi prurjet këtë vit reflektojnë një rikthim interesant të vemendjes së muzikantëve tek Festivali tradicional i fundvitit. “Pas një prurje rreth 70 këngë, që për mua është një risi, pasi pjesmarrja ka qenë në nivele të konsiderueshme, komisioni përzgjedhës pasi dëgjoi të gjitha këngët, vendosi për 22 këngë që për mua janë këngë finaliste” tha zoti Marsi për RTSH. Por nga pikpamja muzikore cilat kanë qenë prurjet dhe çfarë ekuilibri është ruajtur mes artistëve të konfirmuar në skenë dhe artistëve të rinj, ishte pyetja e gazetares Mira Tuci. Në përgjigje Sokol Marsi tha se strategjia e stafit ka qenë që ne ta mbështesim festivalin në rikthimin e artistëve të mirënjohur të skenës së festivalit. Do të këndojë Redon Makashi, që ka munguar prej vitesh, ose Elton Deda, Eugent Bushpepa, Manjola Nallbani, Mariza Ikonomi, vëllezërit Prifti, vëllezërit Tukiçi etj. Në përzgjedhjen e prurjeve muzikore këtë vit një vemendje e posaçme i është kushtuar edhe cilësisë së lirikave të këngëve. “Neglizhenca që i bëjnë poetëve të mirëfilltë shqiptarë dhe teksshkruesve realë është një handikap i cili është zvogëluar në këtë festival” thotë anëtari i jurisë gazetari Ben Andoni. “Risia e rikthimit të emrave të njohur është se ata kanë zgjedhur poezi që i shkon parametrave të tyre. Por ata duhet të jenë të parët që duhet të japin një shmbull emancipimi përsa i përket një poezie më të përpunuar dhe me parametra më të lartë” shton Andoni. Fakt është që edicioni i 56-të i këngës në RTSH pritet të sjellë emrat më të njohur të muzikës shqiptare të cilët do të reflektojnë me materialet muzikore jo vetëm kreativitetin e tyre muzikor por edhe pasqyrimin e gjendjes ekzistenciale përmes të cilës kalon shoqëria shqiptare dhe komuniteti krijues.