Rusia, tashmë ka konfirmuar tërheqjen e tyre nga konkurrenca e këtij viti në festivalin Evropian "Eurovision Song Contest 2017" i cili mbahet muajin e ardhshëm në Ukrainë, pasi këngëtarja përfaqësuese ruse Julia Samoilova u shpall persona-non-grata në Ukrainë (histori për të cilën ju kemi informuar në çdo zhvillim të saj).
Por çfarë do të thotë kjo tërheqje për festivalin Evropian?
A do të ketë pasoja?
Pasoja e parë, është vendimi i mos-shfaqjes së netëve të këtij evenimenti në ekranet ruse, vendim që do të thotë edhe humbjen e 30 milionëve teleshikuesve nga audienca televizive e festivalit, i cili normalisht ka rreth 200 milionë teleshikues në mbarë Botën.
Gjithashtu, një nga pasojat e kësaj çështjeje, mund të jetë përjashtimi i Ukrainës në festivalin e vitit të ardhshëm, për arsye të politizimit që i është bërë gjithë kësaj ngjarjeje artistike, e cila ka synimin që t'i afrojë njerzit, nëpërmjet muzikës, anembanë Evropës.
Tërheqja ruse ka sjellë edhe mjaft probleme për këngëtarët pjesmarrës në gjysëmfinalen e dytë. Ndonëse tashmë do ketë më pak konkurrencë për 10 vendet në finale në gjysëmfinalen ku do të merrte pjesë Rusia, tërheqja ka sjellë çrregullim renditjen e këngëve. Julia do të këndonte me nr 3 në gjysëmfinalen e dytë, por tashmë këtë nr e merr përfaqësimi i Maqedonisë.
Gjithashtu të gjitha këngët pas Rusisë, kanë ndryshuar numrin e paraqitjes. Kjo gjë mund të duket si një gjë komplet pa zarar, por ama ata që e njohin mirë Eurovisionin e dinë që artistët pjesmarrës, kanë përgatitur materials promovimi ku zakonisht thërrasin që të votohet nr XX.
Tashmë këto materiale promovimi dalin komplet të pavlefshme për arsye të ndryshimit të rradhës së paraqitjes.
Kjo nuk është hera e parë e cila festivali Evropian shkakton trazira politike, vitin e kaluar ishte këngëtarja armene e cila gjatë natës gjysëmfinale u pa në ekran, duke mbajtur flamurin e territorit të diskutuar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, Nagorno-Karabakh, duke sjellë polemika të shumta, madje edhe një paralajmërmim nga EBU, për përjashtimin e Armenisë nga konkurrenca.
Ndërsa disa vjet më parë ishin po rusët, ata të cilët arritën të bindin EBU-në në vitin 2009 se kënga e Gjeorgjisë ishte me qëllim politik, duke arritur që të krijonin probleme të shumta deri sa më në fund, Gjeorgjia u tërhoq nga konkurrenca. Këtë gjë ata e provuan t'a bënin edhe vitin e kaluar me Ukrainën, por jo vetëm që nuk arritën që t'a pengonin Ukrainën në pjesmarrjen e tyre, ndoshta antipatia Evropiane ndaj rusëve në lidhje me aneksimin e Krimesë, bëri që njerzit të favorizonin Jamalën më tepër, duke i dhënë asaj fitoren.
Përzgjedhja e këngëtares Julia Samoilova nuk duket komplet e pafajshme. Nje Radio Televizion si Channel 1 i Rusisë, i cili investoi reth 300 mijë Euro vetëm për performancën skenike të vitit të kaluar, nuk ka zgjedhur rastësisht një këngëtare si Julia. Rusia i njeh mirë ligjet Ukrainase, sidomos kur ato kanë të bëjnë lidhje me Krimenë...megjithatë, ata zgjedhin Julian, e cila i kishte shkelur këto ligje. Ndoshta do ishte më e lehtë të pengoje një artist që nuk ishte paraplegjik, por për t'i nxjerrë autoritet ukrainase si njerëz të pashpirt, ata zgjedhin Julian. Në fakt, këtë vit Eurovisioni po feston shumllojshmërinë me slloganin "Celebrate Diversity" por përzgjedhja ruse duket aq e pafajshme aq sa është e përllogaritur. Po të ishte e vërtetë se ata donin të merrnin pjesë, nuk mund të refuzonin ndërrimin e artistit ose pjesmarrjen me lidhje satelitore.
Vitin e kaluar, ishte edhe përjashtimi i Rumanisë nga feativali, por kjo jo për arsye politike por për mospagim të borxhit që TVR (Radio TV publik Rumun) i kishte EBU-së.
Mesa duket ky borxh është shlyer, sepse Rumania i është rikthyer konkurrencës këtë vit...por a do të rikthehet Rusia vitin e ardhshëm? Cfarë problemesh mund të kenë ata vitin e ardhshëm?
A do të ndëshkohet Ukraina për pengesën kundrejt Rusisë?
Po Kosova, kur do të marrë pjesë?
Këto janë pyetje, të cilave vetëm koha do t'i japë përgjigje. Deri atëherë, le t'i themi vërtetë JO! ndërhyrjes së politikës në muzikë, duke filluar nga vetvetja e më pas duke e kërkuar këtë gjë nga organet kompetente.