• Roni Klein

ESC 2016: Fiton Ukraina, Shqipëria nuk arrin finalen


Shqipëria konkurroi të enjten datë 12 Maj me këngën "Fairytale" të kënduar nga Eneda Tarifa, por 45 pikët e mbledhura nuk ishin të mjaftueshme për të arritur finalen e madhe. Megjithatë, Eneda Tarifa u vlerësua jashtmase për vokalin e saj të fortë dhe për prezantimin dinjitoz, nga shumë artistë pjesmarrës si edhe nga shumë komentatorë të huaj.

Në natën finale, pasi u përcollën të gjitha krijimet që ishin në garë, ishte Ukraina e cila arriti të mbledhë sasinë e duhur të pikëve për t'a fituar këtë edicion, i cili ishte edhe edicioni i 61-të i Festivalit Europian të Këngës.

Votimi ishte shumë dramatik, pasi në tre vendet kryesore ndodheshin Rusia, Australia dhe Ukraina. Pas votimit të jurive profesionale dhe votimit të publikut, pikët e mbledhura nga Ukraina lanë pas Australinë dhe Rusinë, duke shpallur kështu edhe fituese këngëtaren Jamala, me të cilën ne kemi patur rastin që të flasim në muajin Prill, gjatë takimit tonë në koncertin "Eurovision in Concert" në Amsterdam.

Eurovision Albania ishte prezente thuajse në të gjitha evenimentet që u zhvilluan në Stokholm. Ne jemi munduar, me aq mundësi sa kemi, t'ju përcjellim gjithë zhvillimin e ngjarjeve në kohë reale, me video dhe fotografi në faqen tonë në FACEBOOK, në YouTube, në Twitter dhe në Instagram. Madje nëspërmjet profilit tonë në Instagram, ne patëm mundësi që t'ju sillinim disa foto të publikuara nga vetë Eneda Tarifa, e cila për një kohë të shkurtër mori në dorë profilin tonë. Kjo ishte edhe hera e parë e cila ne patëm mundësi të mundësonim një të ashtëquajtur "Instagram Takeover". Gjithashtu për herë të parë, ne patëm mundësi t'ju përcjellim drejtpërsëdrejti provën e hapur dhe konferencën për shtyp të Enedës, nëpërmjet Facebook Live. Bashkpunimi me këngëtaren Eneda Tarifa, nuk mbaroi me kaq. Ajo na dha kohë për disa video të shkurtëra të cilat i realizuam me të, para nisjes dhe pas nisjes në Stokholm.

Gjithashtu ne arritëm që t'ju përcjellim edhe disa klipe të tjera, si për shembull me këngëtaren Australiane Dami Im, këngëtarin përfaqësues të Mbretërisë të Vendeve të Ulëta, Douwe Bob, këngëtaren përfaqësuese të Ish -Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Kaliopi, si edhe shumë artistëve të tjerë pjesmarrës në Eurovizion.

Ne si staf i Eurovision Albania, falenderojmë Suedinë për mikpritjen, falenderojmë këngëtaren e mrekullueshme Eneda Tarifa, autoren e këngës Olsa Toqi si edhe gjithë delegacionin Shqiptar në Suedi. Gjithashtu ne urojmë këngëtaren Jamala, për fitoren në Eurovizion. Vitin e ardhshëm ne do të jemi në Ukrainë, duke ndjekur dhe përcjellë momentet e edicionit të ardhshëm të Eurovizionit, ndoshta edhe më mirë sesa e kemi bërë këtë vit.

Dhe në fund, dëshirojmë që t'ju falenderojmë juve që na keni ndjekur. Vazhdoni të na ndiqini duke ju ftuar që edhe ju të bëheni pjesë e grupit tonë, grup i cili dëshiron që një ditë, ta shohë Eurovizionin në Shqipëri.


#ESC2016 #RTSH #EnedaTarifa #Fairytale

5 views

Copyrights ©2017/2021  www.eurovision.al

This site was designed with the
.com
website builder. Create your website today.
Start Now