top of page
Writer's pictureRoni Klein

Flamuri i Kosovës nuk lejohet në Eurovizion



Flamuri i Kosovës nuk lejohet në Eurovision Song Contest 2016. #TheFlagGate

Reagimi i Eurovision Albania

EBU/UER ka shpallur kështu turpin e rradhës. Jo vetëm që Kosova nuk është lejuar të marrë pjesë në Eurovizion, ndërsa Australia po, por tani edhe flamuri I Kosovës nuk do të lejohet që të jetë prezent në arenën Globen të Stokholmit. Ne si staf, jemi të indinjuar nga ky vendim i çuditshëm i grupit të referencës në EBU. Shumica e shteteve pjesmarrëse në Eurovizion, e kanë njohur shtetin më të ri të Europës, ndërsa enti organizator gjen pretekste të kota për t'a mbajtur Kosovën jashtë Eurovizionit. Është gjithashtu e çuditshme kur ndërsa është po EBU që gjithmonë kërkon që politika të mbetet jashtë kësaj konkurrence, janë po ata që veprojnë politikisht, për të kënaqur anën serbe.

Këtë veprim, ne e quajmë shumë paradoksale dhe që bien ndesh me njëra tjetrën. Nëse EBU/UER kërkon të mospolitizohet, atëherë duhet t'i qëndrojë vetë larg politikës. Ne jemi të mendimit, se EBU/UER duhet që ta heqë flamurin e Kosovës nga kjo listë dhe se ata duhet të kërkojnë falje popullit të Kosovës për këtë fyerje që i është bërë simbolit shtetëror të këtij shteti, i cili tashmë njihet nga 111 shtete antare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

-------------------------------------------------------

Zhvillimi i ngjarjes;

Ngjarja filloi menjëherë pas publikimit të dokumentit, dje më 28 Prill 2016 në faqen zyrtare ku shiten biletat e Eurovizionit (shiko dokumentin) - Dokumenti është hequr nga faqja...

28 Prill 2016 ORA 21.30: Eurovision Albania kontakton me drejtorin e përgjithshëm të Radio Televizionit Publik të Kosovës RTK, Z.Mentor Shala dhe e njofton atë mbi vendimin e grupit të referencës.

28 Prill 2016 ORA 22.00: Reagon Eurovision Albania nëpërmjet faqes në facebook dhe faqes eurovision.al

29 Prill 2016 ORA 12.00: Reagon Radio Televizioni i Kosovës RTK, me një komunikatë të drejtuar EBU/UER kur ndër të tjera Thuhet se "Radio Televizioni i Kosovës është thellësisht i shqetësuar që flamurin e Kosovës e vendosin në listën e njëjtë ku janë edhe flamuj të organizatave terroriste (ISIS-it) dhe vendeve tjera që janë të kontestuara ndërkombëtarisht. Ky vendim vjen vetëm disa ditë para se RTK të marrë pjesë pikërisht në takimin e Grupit të Referencës ku pritej të merrej vendimi nëse Kosova do të marrë pjesë ose jo vitin e ardhshëm në këngën e Eurovizionit." Lexoni reagimin e plotë.

29 Prill 2016 ORA 12.10: Shefi i eventeve për EBU-në z.Sietse Bakker e argumenton për të përditshmen suedeze "Expressen; "Kemi vendosur që flamujt e lejuar, të jenë nga shtetet me antarësi në OKB (Organizatëne e Kombeve të Bashkuara)....ai vazhdon me fjalët: - Nuk mund të presim që të gjithë rojet e derës, të jenë gjithashtu ekspertë flamujsh, ose që të shohin nëse flamujt përcjellin mesazhe politike, gjë që nuk mund të lejohet në Eurovizion - prandaj kemi përgatitur këtë listë"

29 Prill 2016 ORA 13.30: Reagon edhe politikani Behxhet Pacolli nëpërmejt faqes së tij zyrtare në Facebook me këto fjalë;- "Moslejimi flamurit të Kosovës në Eurosong 2016 në Stokholm të Suedisë nga EBU është fyerje e rëndë për Republikën e Kosovës. Çuditërisht asnjë qeveritar për këtë nuk reagon. Diplomacia kosovare duket qartë që është në nivelin më të ulët. Pse nuk ka reaguar Ambasadori ynë në Stokholm? Flamuri i Kosovës rënditet së bashku me flamurin terrorist të ISIS-it, gjë e cila është krejtësisht e papranueshme dhe shumë fyese për ne.Unë personalisht kam kërkuar sqarim nga z. Sietse Bakker, drejtor i eventit në EBU për këtë skandal!"

29 Prill 2016 ORA 15.00: Pas reagimeve të shumta të institucioneve të shtetit të Kosovës, dhe reagimit të Radio Televizionit Publik të Kosovës RTK tashmë ka patur edhe një reagim zyrtar të EBU/UER nëpërmjet shefit të komunikimit për media, Paul Jordan, i cili është kontaktuar nga. Radio Evropa e Lirë. Ai ka shprehur keqardhje nëse EBU/UER ka fyer popullin e Kosovës me këtë vendim të marrë nga grupi i referencës dhe më pas ai ka shpjeguar edhe këtë vendim të cilin e ka publikuar Radio Televizioni i Kosovës para disa minutash.

29 Prill 2016 ORA 15.10: Reagon zyrtarisht edhe EBU/UER: "Të enjten pasdite, një draft i regullave për cilët flamuj do lejohen në Eurovision Song Contest 2016, u publikua në faqen online të Arenës Globen dhe agjensisë së shitjes të biletave AXS. Ky dokument, përfshinte një listë të pambaruar flamujsh, të cilat sipas rregullores te flamurit, nuk do të lejoheshin brenda në sallë. Ky dokument, nuk ishte menduar që të publikohej.

Organizatorët e kuptojnë dhe janë të vetdijshëm për ndjeshmërinë e selektimit të flamujve të organizatave dhe territoreve, të gjitha të një natyre të ndryshme. Organizatorët kërkojnë falje të gjithëve që janë ndjerë të fyer nga kjo listë.

EBU/UER i ka kërkuar Arenës Globen dhe AXS që ta heqë menjëherë këtë dokument, i cili përfshin shembuj flamurësh dhe të publikojë rregulloren, pa përfshirë shembuj.

Dokumenti zyrtar dhe rregullorja përfundimtare mbi flamujt, do të publikohet më vonë në faqen zyrtare eurovision.tv, sonte më vonë, sëbashku me një sqarim të detajuar." .... kështu përfundon reagimi zyrtar i EBU/UER në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

29 Prill 2016 ORA 17.30: Sipas RTK-së "Drejtoresha Gjenerale e "Unionit Evropian Transmetuesve- EBU", Ingrid Deltenre i ka dërguar letër personalisht drejtorit Gjeneral të RTK-së, Mentor Shala ku i ka dhënë sqarime për këtë incident.

Kjo është letra e plotë e saj:

I dashur Mentor, Te falenderoj per emailin, në të cilin shpreh shqetësimin tënd përkitazi me politikat e përdorimit të flamujve në Eurovision Song Contest, gjë që e vlerësoj. Në këtë email, do të doja që personalisht të të jepja informacione të mëtejme lidhur me këtë çështje. Të lutem ta kesh parasysh që kjo porosi I është përcjellur gjithashtu edhe ambasadës së Kosovës në Stokholm, me kërkesë të tyre. Të enjten pasdite, në uebsajtin e Globe Arena dhe në agjencinë e biletave AXS, është bërë publik versioni para-përfundimtar i politikës për përdorimin e flamujve në Eurovision Song Contest 2016. Dokumenti përfshinte edhe një listë jo gjithë-përfshirëse të flamujve, përdorimi i të cilëve në vendngjarje është i ndaluar. Ky dokument nuk ishte paraparë që të publikohet. U kërkojmë ndjesë të gjithë atyre- përfshirë edhe juve- që janë ndier të ofenduar me këtë listë. Sot gjatë ditës, EBU i ka kërkuar Globe Arenas dhe AXS që menjëherë të largojë dokumentin, që paraqet shembuj për përdorim flamujsh dhe që në vend të kësaj të publikojë një dokument zyrtar, pa përmendur shembuj (v. emra, vende). Dokumenti përfundimtar dhe zyrtar mbi politikat për përdorimin e flamujve do të publikohet në faqen zyrtare Eurovision.tv më vonë gjatë ditës bashkë me sqarimin adekuat. EBU dëshiron të sigurojë që Eurovision Song Contest nuk është e ngarkuar me deklarata politike, porosi të paautorizuara komerciale dhe komente ofenduese, në linjë me Rregullat e garës, me të cilat janë pajtuar të gjithë 42 anëtarët pjesëmarrës. Gjithashtu, organizatorët janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë e audiencës dhe ekipit (të punëtorëve). Me këtë qëllim, Grupi I Referencës I Eurovision Song Contest, I cili është këshilli drejtues I garës dhe që përfaqëson transmetuesit pjesëmarrës në garë, ka miratuar një politikë mbi përdorimin e flamujve. Ka vendosur që të lejojë vetëm përdorimin e flamujve me këto karakteristika: Flamur I përmasave maksimale pa shtizë: 120 x 80 cm Flamur I përmasave maksimale me shtizë: 60 x 40 cm Gjatësia maksimale e shtizës: 50 cm pa përfshirë flamurin (vetëm shtizë plastikë, pa pjesë metali/druri) • Preferohet përdorimi I flamujve të 42 vendeve pjesëmarrëse, por gjithashtu edhe ata të vendeve që kanë marrë pjesë në garë viteve të fundit (psh. Turqia, Portugalia, Rumania); • Flamujt zyrtarë të vendeve të tjera, nëse vendi në fjalë është anëtar I OKB-së (shikoni në këtë adresë për listën e përditësuar http://www.un.org/en/member-states/ ). Flamujt ylber dhe ata të Bashkimit Europian do të tolerohen, në rast se, ashtu sic vlerësojnë organizatorët, nuk do të përdoren si mjet për bërjen e deklaratave të qëllimshme politike gjatë shfaqjes/garës. Veçanërisht, organizatorët kërkojnë dhe nxisin komunitetin e adhuruesve që të respektojnë dhe çmojnë natyrën jo-politike të Eurovision Song Contest. Do të jem në disponimin tuaj, në rast se keni pyetje të tjera lidhur me politikat për përdorimin e flamujve në Eurovision Song Contest në përgjithësi. Të fala, Ingrid"

29 Prill 2016 ORA 19.00: Sipas Gazetës Express ka reaguar edhe zëvendës ministri i punëve të jashtme i Republikës të Kosovës, z.Petrit Selimi, me këtë letër drejtuar EBU/UER

“Besojmë se barazimi i flamurit të një shteti evropian të cilin e ka pranuar shumica e vendeve anëtare të EBU-së dhe i cili do të valoj në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit, me një flamur të një organizate terroriste e cila është përgjegjëse për vrasje, krime dhe gjenocid, paraqet një shpifje”, ka thënë shefi i diplomacisë së Kosovës."

Veç tjerash, ai e ka cilësuar këtë veprim kundër imazhit të Kosovës. Ndërkaq ai ka ftuar EBU-në që ta përfshijë Kosovën në garat e ardhshme.

30 Prill 2016 ORA 15.00: Sipas RTK-së, Lunacek ia ka përkujtuar Eurovisionit se Kosova është e njohur nga 111 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin e Evropian, Ulurike Lunacek ka reaguar kundër vendimit të EBU-së për vendosjen e flamurit të ISIS-it në të njëjtin nivel me disa shtete evropiane që nuk marrin pjesë në garën evropiane të muzikës.

Lunacek ia ka përkujtuar Eurovisionit se Kosova është e njohur nga 111 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe se është koha e duhur që këngëtarët kosovarë ta përfaqësojnë vendin e tyre në këtë garë.

“Në raportet e mia për Kosovën vazhdimisht e kam bërë të qartë se Kosovës duhet t’i lejohet pjesëmarrja në Eurovision dhe për pesë vendet anëtare të BE-së që po e shtyjnë njohjen e saj”, ka thënë Lunacek.

“Ne Parlamenti Evropian nuk duam që këngëtarët e Kosovës të mbesin të përjashtuar nga Eurovisioni ose të këndojnë për shtetet tjera – siç veproi Rona Nishliu në vitin 2012, duke kënduar për Shqipërinë dhe me sukses përfundoi në pozitën e pestë”.

01 Maj 2016 ORA 09.00: EBU/UER publikon dokumentin e ri per rregullat e flamujve ne Eurovizion. Flamuri i Kosoves vazhdon te jete i ndaluar.

TË LEJUAR:

- Flamujt zyrtarë kombëtare të 42 vendeve pjesëmarrëse, apo nga vendet që kanë marrë kohët e fundit pjesë (p.sh. Turqi, Portugali, Rumani). - Flamujt zyrtarë kombëtare të ndonjë nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara (http://www.un.org/en/member-states/).

- Flamuri i Bashkimit Evropian. - Flamurin ylber, si një simbol i tolerancës dhe diversitetit.

TË NDALUAR:

- Të gjithë flamujt / parulla të tjera, duke përfshirë edhe ato që nuk i plotësojnë specifikimet e miratuara, ose që përmbajnë një mesazh komercial, ose një deklaratë që organizatorët e konsiderojnë të natyrës ofensive, diskriminuese, të papërshtatshme, politike apo fetare. - Flamujt / parulla që përmbajnë deklarata në gjuhë të tjera përveç gjuhës angleze ose në gjuhën e vendit mikpritës.

- Çdo objekt, si shkopinj për selfie që pengojnë pamjen e kamerave, ekuipazhit të prodhimit apo kontrolluesit të biletave.

Flamujt e konfiskuara / objektet nuk do të kthehen. Duke marrë brenda flamuj / objekte që nuk plotësojnë kërkesat e kësaj politike mund të çojë në largimin nga salla.

06 Maj 2016 ORA 15.00: EBU/UER lejon përsëri flamurin e Kosovës në sallë. Komunikata zyrtare në Facebook të EBU/UER;

Komunikatë zyrtarë në amendamentin e Eurovizionit përsa i përket rregullores së flamujve.

Pas mendimeve dhe diskutimeve frytdhënës me shumë nga delegacionet pjesmarrëse, organizatorët e Eurovizionit ranë dakord që të lehtësojnë rregulloren mbi flamujt dhe të lejojnë në salle, flamujt kombëtarë, rajonalë dhe lokalë të pjesmarrësve. Një shembull është flamuri i Uellsit (meqënësë një nga pjesmarrësit për Mbretërinë e Bashkuar është nga Uellsi), gjithashtu flamuri Sam (këngëtarja norvegjeze ka origjinë same). Këto janë shtojca për gjithë flamujt e Kombeve të Bashkuara, flamurin e Bashkimit Europian dhe flamurit ylber, ashtu si janë përshkruar në udhëzimin origjinal.

EBU/UER ka propozuar gjithashtu që të jetë tolerante mbi flamuj të tjerë, përderisa publiku i pranishëm në sallë të re natyrën jo-politike të Eurovizionit dhe të mos bllokojnë kamerat e filmimit me qëllim. Ky propozim është miratuar nga grupi i referencës i cili është edhe grupi qeverisës i Eurovizionit.

10 Maj 2016 ORA 21.00: Flamuri i shtetiti të Kosovës valvitet sëbashku me flamurin kombëtar në arenën Globen në Stokholm, gjatë natës së parë gjysëmfinale.

12 Maj 2016 ORA 21.00: Flamuri i shtetiti të Kosovës valvitet sëbashku me flamurin kombëtar në arenën Globen në Stokholm, gjatë natës së parë gjysëmfinale.

12 Maj 2016 ORA 21.40: Një nga rojet e sigurimit, na rrëmben flamurin e shtetit të Kosovës, pa dhënë shpjegim, por duke na thënë se mund ta rimerrnim, menjëherë pas mbarimit të natës gjysëmfinale të dytë.

12 Maj 2016 ORA 23.10: Rojet e sigurimit, nuk arrijnë të na kthejnë flamurin me preteksti se nuk po e gjenin dot. Ne ankohemi për gjestin dhe për moskthimin e flamurit dhe me anë të telefonit, arrijmë që të xhirojmë një video të shkurtër të këtij episodi.

13 Maj 2016 ORA 10.00: Grupi ynë dërgon notë ankese organizatorëve të Eurovizionit.

Ne vazhdojmë të presim një përgjigje zyrtare nga EBU/UER për këtë veprim skandaloz.

______________________________

Përmbledhje: Lajmi i 28 Prillit, është pasqyruar në shumë gazeta, televizione, media online nëpër gjithë Botën - natyrisht në Kosovë e Shqipëri. Në këtë listë, nuk ishte përfshirë vetëm flamuri shtetëror i Kosovës, por edhe flamuj të tjerë provincash, si për shembull flamuri i krahinës autonome Baske (të Spanjës). Edhe mediat spanjolle, sidomos ato të krahinës Baske, kanë reaguar njësoj si në Kosovë. Formulari i publikuar, tashmë është hequr nga faqja zyrtare e agjensisë së biletave AXS dhe po pritet një përshkrim i ri mbi rregullat e flamujve të lejuar. Formulari i ri, duhej të ishte publikuar para dy ditësh, por mesa duket, grupi i referencës të EBU/UER, i cili përbëhet nga 8 antarë, ka diskutuar gjatë dhe në fund vendosi që rregulloren t'a shpallë në orët e para të majit. Lexoni rregulloren mësipër. Pas ankesave dhe reagimeve të shumta, nga shumë vende pjesmarrëse, politikanë të Kosovës, të krahinës autonome Baske etj, ky vendim u ndryshua, në favor të tolerancës, në datën 06 Maj 2016.

______________________________

Kriteret për aderimin e Kosovës në rrjetin EBU/UER si antare me të drejta të plota ose antar partner;

Problemi kryesor në një pjesmarrje të ardhshme të Kosovës ka qenë dhe mbetet pranimi i RTK-së në EBU/UER (Europian Broadcasting Union) si antare me të drejta të plota ose si antar partner.

Për të qenë antare e plotë duhet që fillimisht Kosova të njihet nga OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara)

Por siç dihet, kjo gjë është penguar nga Rusia dhe Kina.

Për të arritur partneritet me EBU/UER Kosovës i duhej që të bëhej antare e ITU (Rrjetit ndërkombëtar të Telekomunikimit).

Kosova tashmë është antare e ITU-së që prej datës 1 Janar 2015, duke marrë edhe prefiksin telefonik +383 dhe duke qenë e tillë, mund të aplikojnë për antarësim si partner dhe në këtë mënyrë të marrin pjesë në Eurovizion. Shtete të aderuara në ITU, si për shembull Australia ose Gjeorgjia janë pjesmarrëse në Eurovizion sepse janë antarë partnerë të EBU/UER.

29 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page