Mbikqyrësi ekzekutiv për Departamentin e Eurovizionit në EBU (European Broadcasting Union) Z. Jan Ola Sand, sapo i ka dhënë mirëseardhjen kryetarëve të 43 delegacioneve pjesmarrëse në Eurovizion, në konferencën paraprake vjetore "Head of Delegations meeting" e cila kësaj here, natyrisht po zhvillohet në Stokholm.
Në këtë mbledhje, ku të gjitha këngët dorëzohen zyrtarisht, diskutohet për të ardhmen e Eurovizionit dhe ghithashtu prezantohen teknikat dhe inovacionet për spektaklin e ardhshëm. Gjithashtu në këtë mbledhje, bëhet edhe dorzimi i gjithë materialeve që ka lidhje me performancat dhe kërkesat e delegacioneve në lidhje me to.
Siç dihet tashmë, Eneda Tarifa do të jetë në skenë e shoqëruar nga tre backvocals , të cilët janë Venera Lumani, Besa Krasniqi & Xhoni Jesku. Ky detaj dhe shumë detaje të tjera, të cilat sigurisht mbahen fshehur deri në muajin Maj, tashmë i janë bërë të ditur Departamentit të Eurovizionit në EBU, në mënyrë që ky departament të ketë kohë të respektojë dëshirat për çdo detaj të kërkuar mbi performancën e Enedës në Eurovizion.
Takimi i kryetarëve të delegacioneve i cili filloi dje dhe mbaron nesër, vijon me mbledhje dhe më pas me shumë aktivitete të tjera të cilat kanë lidhje me Eurovizionin. Radio Televizioni Shqiptar përfaqësohet nga kryetari i delegacionit Z.Kleart Duraj, i cili ka një eksperiencë shumë vjeçare me mardhëniet RTSH - EBU.