Për prezantimin e Elhaidës në Eurovizion u punua jashtëmase dhe në një kohë shumë të shkurtër, kënga I'm alive erdhi në jetë, këngë e cila u kompozua nga dy kompozitorët simpatikë Kristian Lekaj dhe Arbër Elshani, të cilët njihen më mirë si Zzap&Chriss. Teksti u shkrua nga kompozitori / poeti Sokol Marsi dhe u përkthye dhe përshtat në anglisht nga këngëtarja Linda Halimi.
U krijuan dy videoklipe, një në anglisht dhe një në shqip. Të dyja prodhime të Provideo Albania. Në këtë video morën pjesë njerëz realë, për shembull zonjën police, mund t'a takoni ndonjë ditë në shërbim me policinë rrugore në rrugët e Tiranës .
U përzgjodhën tre vokalistet që do të shoqëronin në skenë Elhadën, duke filluar me këngëtaren dhe instrumentisten Olsa Papandili, e cila është pjesë e Top Channel Band në programe të ndryshme, por ndoshta më i njohuri është Top Show Magazine. Kantautorja Erga Halilaj, ishte një nga konkurrentet në festivalin e fundit të këngës në RTVSH, ajo gjithashtu është pianiste në orkestrën simfonike të RTVSH dhe gjithashtu lektore në Akademinë e Arteve. Olsa dhe Erga kanë qenë gjithashtu shoqëruese në skenë dhe vitin e kaluar me prezantimin tonë në Eurovizion me këngëtaren Hersi Matmuja në Kopenhagë të Danimarkës.
Gerona Hyska zakonisht këndon në "Cavaliero" në Tiranë, studion në degën e financave në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, si dhe një këngëtare shumë e re por gjithashtu shumë e talentuar. Gerona mbushi 20 vjec gjatë qëndrimit në Vienë. Me promovimin dhe turneun e Elhaidës, u mor vetë menaxherja e saj Carolina Meucci.
Veshjet, grimi dhe bizhuteritë e këngëtares Elhaida Dani, kanë sjellur ndoshta edhe një nga përfaqësimet më dinjitozë të Shqipërisë në Eurovizion përsa i përket look-ut. Vitin e kaluar, këngëtarja Hersi Matmuja shkëlqeu nën kujdesjen e stilistes nga Kosova Blerina Kllokoqi Rugova, e cila ka krijuar tashmë një brand me butik jo vetëm në Kosovë por edhe në Zvicër. Ndoshta nuk ishte e rastësishme, që edhe njëherë tjetër ishte një stilist nga Kosova, ai i cili do të vishte Elhaidën gjatë gjithë kohës në Vienë. Kosova, ndryshe nga Shqipëria, përdor më tepër stilistë të cilët i krijojnë dhe qepin veshjet, ndërsa në Shqipëri preferohen më shumë veshje të gatshme nga emra stilistësh si D&G, Gucci, Cavalli, Armani et
Stilist Valdrin Sahiti kishte zgjedhur disa veshje të ndryshme nga koleksioni i tij për Elhaidën, por kurimi u la në dorë të editores së modës, Miranda Dupi, e cila me mjeshtëri kombinonte look-un e Elhaidës me veshjet, bizhuteritë dhe aksesorët që do të përdorte ajo për cdo rast, ndërsa për makiazhin dhe flokët kujdeseshin Znj.Miranda Dupi dhe artiste e makiazhit Znj.Lili Ismaili. Të gjitha bizhuteritë ishin të Penelope Jewels.
Fotot profesionale zyrtare të Elhaidës, që ju keni parë gjatë gjithë kohës, janë të fotografes Znjsh.Orsola Mema. Në këtë delegacion të kryesuar nga Z.Klerat Duraj, ishin të pranishëm edhe operatori Z.Shkëlzen Sinani, gazetarja Znj.Ketrin Gjocaj të cilët raportuan nëpërmjet valëve të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Gjithashtu pjesë e këtij delegacioni, ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar Z.Martin Leka.
Pasqyrimi i këtij eventi në faqen tonë zyrtare, si edhe në rrjetet sociale në facebook, instagram, twitter dhe youtube u mundësua nga të pranishmit e Eurovision Albania në Vienë: Besart Mujku, Roni Klein, Erdi Tejeci, Douwe Reveler.