Emri i Xhoni Jeskut u publikua nga faqja jonë, menjëherë pas konfirmimit zyrtar të Radio Televizionit Publik Shqiptar për lajmin se ai, sëbashku me dy back vocalistët e tjerë, do të ngjiteshin në skenën madhështore të Stokholmit sëbashku me përfaqësuesen tonë në Festivalin e ardhshëm Europian ”Eurovision Song Contest 2016”
Po kush është ky djalosh, i cili është vetëm 18 vjeç? Si erdhi ky shans dhe cilat janë ëndërrat e tij?
Ne patëm mundësinë që të flisnim me të riun simpatik me origjinë nga Pogradeci, i cili sëbashku me Enedën, do t’ju përcjellin "Përrallën" shqiptare, 200 milionë teleshikuesve në mbarë Botën.
E.A; Xhoni, më lejo që më parë t’ju uroj për përzgjedhjen dhe me pas t’ju pyes; - Si ndjeheni dhe si e morët lajmin për përzgjedhjen si back vocalist?
Unë ndjehem jashtëzakonisht i lumtur dhe i emocionuar. Të ngjitem skenën që kam ëndërruar që në fëmijëri, kjo nuk është pak për mua. Lajmi m’u konfirmua nga vetë kompozitorja e kengës, Olsa Toqi, një ditë pasi kisha bërë audicionin.
E.A; Kush është Xhoni Jesku? Përveç përzgjedhjes tuaj si back vokal për Enedën, publiku nuk di shumë për ju. Cfarë gjërash mund të na tregoni për veten tuaj?
Aktualisht vazhdoj studimet për kanto dhe sigurisht që muzika kryeson në listën e pasioneve të mia, Përpiqem që të jem sa më modest kur bie fjala që të flas për veten, por do të vetëcilesohesha sI një person ambicioz dhe shumë këmbëngulës.
E.A; Prejardhja juaj, a është ajo nga një familie muzikantësh, a mundeni të na tregoni pak për ta?
Nuk i përkas një familje muzikantësh, por padyshim një familje që është dashamirëse e artit, dhe mesa kam vënë re, disa grimca të talentit tim i kam të trashëguara prej tyre. Familja ime përbëhet nga prindërit dhe motra ime, e cila është më e vogël. Ata jetojnë në Pogradec.
E.A; Kjo nuk është hera e parë që ju po ngjiteni në skenë, a mund të na tregoni pak mbi repretorin tuaj?
Fillimisht kam qenë pjesë e festivaleve të fëmijëve në vendlindje. Pas disa vitesh, teksa fillova studimet në lice, mora pjesë për 3 vjet rradhazi në evnimente ndërkombëtare në Turqi dhe Gjermani, me pjesëmarrjen e 140 shteteve, ku unë perfaqësoja Shqiperinë në kategorinë e këngës. Aty pata mundësinë madje të eksperimentoja duke kënduar turqisht.
E.A; Sa vjeç ishit ju kur filluat të merreshit me muzikë?
Rreth moshës 5-6 vjeç. Ishin mesueset e kopështit, ato të cilat zbuluan talentin tim dhe shërbyen si shtysë që unë të merresha me muzikë. Kështu dalëngadalë, muzika u bë pjesë e rëndesishme dhe shoqëruese e jetës sime.
E.A; Cilat emra artistësh (të huaj ose shqiptarë) karakterizojnë shijet e tua në muzikë?
I pari që do të veçoja është Saimir Pirgu,kjo pasi e pëlqej dhe e vlerësoj njëkohesisht muzikën klasike. Nga të huajt, do të përmendja Adele,Chris Brown,Bruno Mars, etj.
E.A; E keni ndjekur Eurovizionin më parë dhe cilat janë kujtimet e para që keni nga Eurovizioni?
E kam ndjekur që në vitin 2004, kur Shqipëria kishte përfaqesimin e saj te parë. Megjithëse isha ende në moshë të vogël, kujtoj mjaft mirë emocionet që perjetoja teksa shikoja të ngjiteshin në skenë përfaqësuesit e vendit tonë.Jashtëmase më ka pelqyer dhe ceremonia e hapjes nga këngëtarja turke Sertab Erener (red. Fituesja e Eurovizionit 2003) , të cilën kam pasur rastin edhe ta takoj.
E.A; Sertab Erener? Si e takuat atë?
Ishte në festivalin e gjuhës dhe kultures turke "Dil ve kültür Festivali" Gjatë performancave që jepnim për publikun turk në Istanbul Arena , ku merrnin pjesë edhe këngetarë e aktorë të famshëm.Pas performancës ,më komplimentoi për këngën time "Süperdin,Sessin mükkemel" .me fjalët “Ishe super, ke zë të mrekullueshëm.
E.A; Për t’ju kthyer Eurovizionit, A I keni dëgjuar këngët e tjera pjesmarrëse në këtë vit dhe cilat prej tyre janë të preferuara nga ju?
Patjetër që i kam dëgjuar dhe ju kam kushtuar vëmendje. Më kanë pëlqyer këngët përfaqesuese të Islandës, Maltës, Danimarkës, Spanjes etj... Duhet të them se e preferuara ime është sërisht Rusia.
E.A; Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimet e provave, a mendoni edhe për emocionet e ngjitjes në skenë?
Ohhh mezi po pres që të ngjitem në atë skenë gjigande. Mendoj se Eurovizioni do të sjellë emocione formuese për mua.
E.A; Cilat janë planet tuaja për shkollën dhe karrierën në të ardhmen?
Fillimisht dua të kem rezultate të kënaqeshme këtë vit në perfundimin e liceut dhe provimeve të matures, e më pas vazhdimin e studimeve në akademinë e arteve. Paralel me studimet, dua që të zhvilloj karrierën në evenimentet më të rëndësishme muzikore në vend.
E.A; Cili është mesazhi juaj për lexuesit e kësaj interviste?
Eurovizioni është një sfidë për mua. Roli im në këtë sfidë është, që të jap më të mirën time, si kontribut për një përfaqësim sa më të denjë të Shqipërisë. Nga lexuesit e kësaj interviste, e jo vëtem, do të kërkoja që të kontribojnë me mbështetjen maksimale për këngën tone përfaqësuese dhe për këngetaren e mrekullueshme Eneda Tarifa.